Mundësitë rreth orientimit në karrierë përmes Klubeve të Karrierës

Data e Publikimit 22.02.2021


Mungesa e një sistemi të mirëfilltë dhe gjithpërfshirës të këshillimit në karrierë për nxënësit e shkollave të mesme, detyron një numër të konsiderueshëm të nxënësve të përfundojnë në ato drejtime të studimeve, të cilat nuk janë të preferuara për ta, apo edhe që nuk iu mundësojnë punësim në të ardhmen.

Këshillimi dhe orientimi për karrierë është identifikuar si pikë kyçe në Planin Strategjik për Zhvillimin e Arsimit në Kosovë (PSAK) 2017-2021 (Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, 2016). Mungesa e orientimit për karrierë në kombinim me mungesën e informatave të tregut janë shkaktarë të shpërputhjes ndërmjet kërkesave të tregut dhe shkathtësive të nxënësve, dhe rrjedhimisht edhe ndërmjet ofertave të shkollimit dhe atyre të punësimit. Pra, sa dëgjohen kërkesat dhe zbërthehen potencialet individuale nga shkollat apo rrethanat shoqërore?

Duke u munduar të kuptojmë këtë, Programi “Përkrahje adoleshentëve pas mësimit të rregullt” – ASSET financuar nga misioni i USAID-it në Kosovë, synon të zhvillojë shkathtësitë për punësim dhe ndërmarrësi tek të rinjtë me qëllim që të përmirësohet qasja në këshilla për karrierë dhe të forcohet lidhja shkollë- komunitet-biznes. Programi, përmes trajnimit “Orientim dhe Këshillim në Karrierrë “, (tutje OKK) i aprovuar nga Këshilli Shtetëror për Licencim të Mësimdhënësve, ka trajnuar mësimdhënës që të zbërthejnë konceptet e karrierës në aktivitete konkrete, duke i lidhur ato me disa nga rezultatet mësimore të pritura nga fusha ‘jeta dhe puna’.

Me qëllim të krijimit të një mekanzimi të qëndrueshëm në shkollë për organizimin e aktiviteteve të ndërlidhura me orientim në karrierë, Programi ka themeluar Klubet e Karrierës.

Historia dhe qëllimi i krijimit të klubeve

Struktura e klubeve të karrierës

Secili klub udhëhiqet nga një mentor/e, të cilët janë kryesisht mësimdhënës nga fusha ‘jeta dhe puna’ të trajnuar në kursin OKK. Anëtarë të klubit janë nxënësit e shkollave të cilët kontribuojnë në mënyrë vullnetare në detyrat e klubit. Programi, poashtu, ka përkrahur klubet me këndet e karrierës në kuadër të Qendrave për Karrierë dhe Ndërmarrësi.

“Klubi i karrierës është vatër e dijes dhe e një të ardhmeje të ndritur për nxënësit. Përmes aktiviteteve të ndryshme që organizohen në këtë klub, nxënësit jo vetëm që mësojnë gjëra me vlerë dhe përvetësojnë shkathtësi ndërmarrësie, ata përgatiten edhe për jetë dhe treg të punës. Përmes klubit të karrierës, nxënësit i afrohen hap pas hapi karrierës së tyre, bëjnë zgjedhje të duhura për profesionin e tyre, marrim eksperienca dhe aftësi për menaxhimin e jetës”, shprehet Lamir Shkurti, mësimdhënës në Gjimnazin “Gjon Buzuku” - Prizren dhe mentor i Klubit në këtë gjimnaz.

Secili klub i ka disa objektiva në bazë të të cilave e zhvillojnë dhe zbatojnë planin e tyre të punës. Këtë plan e përpilojnë në fillim të vitit shkollor me mbështetje profesionale nga ekipi i Programit. Planet e tyre kanë për qëllim:

Secili klub i ka disa objektiva në bazë të të cilave e zhvillojnë dhe zbatojnë planin e tyre të punës. Këtë plan e përpilojnë në fillim të vitit shkollor me mbështetje profesionale nga ekipi i Programit. Planet e tyre kanë për qëllim:


• Zhvillimin e shkathtësive menaxhuese të klubit;
• Organizimin e aktiviteteve për zhvillimin e shkathtësive;
• Informimin për mundësitë për karrierë për nxënësit e shkollës;
• Komunikimin dhe lidhjen e marrëveshjeve me biznese;
• Ndërmjetësimin e punës praktike dhe vullnetare për nxënësit e shkollës.

vitin shkollor 2020-2021 janë anagazhuar rreth 200 nxënës në kuadër të klubeve të karrierës nga 16 gjimnazet partnere.

Zhvillimi i shkathtësive përmes aktiviteteve jashtëkurrikulare

Nxënësit, të cilët janë vullnetarë në këto klube, mes tjerash organizojnë edhe aktivitete të ndryshme për përdorimin e resurseve dhe hulumtim në Busulla.COM, përgatitja e CV-së & letrës motivuese.

“Klubi i karrierës luan rol mjaft të rëndësishëm edhe në jetën tonë të përditshme. Ne marrim dije dhe shkathtësi mjaft të vlefshme që na ndihmojnë për zgjedhjen e profesionit të duhur për ne, duke i ditur vlerat, interesat dhe përfitimet tona nga profesioni. Klubi, poashtu, na ndihmon t’i zhvillojmë shkathtësitë tona për menaxhim të kohës, vendosshmërisë, etj”, thotë Erma Shkurti, Kryetare e Klubit të Karrierës në Gjimnazin “Gjon Buzuku” – Prizren.

Pasi që anëtarët të trajohen për tema të caktuara, ata zhvillojnë akivitete të klubit përmes të cilave i ndihmojnë nxënësit e tjerë për këto tema. Prandaj, orientimi në karrierë mbetet i rëndësishëm jo vetëm për të shpëtuar nga zgjedhjet e padëshirueshme dhe pa perspektivë, por për të zbuluar e shfaqur talentin dhe potenicialin tek të rinjtë tanë.

Aktivitet i realizuar nga Klubi i Karrierës në shkollën “Kuvendi i Arbërit” - Ferizaj